Friday, August 7, 2020

50 infermierë i shtohen stafit mjekësor në spitalin COVID-2

Gazetare: Klevisa GJIKA

Forcimi me kapacitete njerëzore është fokusi i qeverisë. Kështu është shprehur ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastilu. Gjatë inspektimit të radhës në spitalin COVID-2, “Shefqet Ndroqi”, ajo bëri me dije se stafit mjekësor të këtij spitali i janë bashkuar 50 infermierë.

Ministrja tregoi se një pjesë e tyre kanë patur mundësinë të fitojnë eksperiencë gjatë punës në Itali, ndërsa pjesa tjetër do marrë përvojë nisur nga ky spital, pra në “Shefqet Ndroqi”.

“Një pjesë e juaj, pra e armatës së re të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë edhe një pjesë e infermierëve të cilët kanë qenë në misionin e parë të dërguar në Itali dhe kanë marrë aty eksperiencën e nevojshme, eksperiencë e cila patjetër do të transmetohet tashmë në këtë spital. Janë 50 infermierë që i shtohen spitalit COVID2”, tha Manastirliu.

Ndërkohë, puna për periudhën vjeshtë-dimër vijon. Manastirliu u shpreh se po bëhet çdo gjë që të ketë mjaftueshëm burime njerëzore. Nga ana tjetër, ajo i kërkoi qytetarëve të bëjnë kujdes sepse roli i tyre është vendimtar për përhapjen ose minimizimin e infektimeve në vendin tonë.

“Qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për të gjithë mbështetjen për personelin mjekësor, për të fuqizuar kapacitetet tona spitalore, qoftë spitaleve aktuale, qoftë spitaleve të cilat projektohen për t’i shërbyer pacientëve me Covid përgjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit. Është në dorën e secilit prej nesh këputja e zinxhirit të infeksionit, duke zbatuar masat e thjeshta, me vendosjen e maskës, ruajtjen e distancimit fizik dhe higjienën personale. Kjo është për të mirën e përbashkët dhe për shëndetin e qytetarëve”, tha Manastirliu.

No comments:

Post a Comment