Thursday, August 6, 2020

COVID-19, këshilla / Si të flisni me fëmijët?

Jonida Haxhiu, specialiste për çështjet mendore

Fëmijët tuaj po dëgjojnë vazhdimisht për koronavirusin (COVID-19). Çdo prind dëshiron të sigurohet që të fëmijët marrin informacion të besueshëm, por edhe shqetësohet për mënyrën se si të flasin me ta në këtë situatë. Ja disa këshilla:

  • Bëni pyetjet e duhura për të marrë informacionet që dëshironi.

Bëni pyetje të përshtatura për nivelin e moshës së fëmijës tuaj. Kjo ju jep mundësinë për të mësuar se sa di fëmija dhe për të zbuluar nëse ka informacione të gabuara.

  • Përshtatuni nevojave të fëmijëve tuaj pa asnjë formë detyrimi

Disa fëmijë mund të kenë nevojë të kalojnë më shumë kohë duke folur. Nëse fëmija juaj nuk duket i interesuar ose nuk bën shumë pyetje, mos e detyroni të flasë.

  • Ofrojini fëmijës siguri pa ia fshehur të vërtetën

Ndihmoni fëmijën tuaj të ndihet i sigurt, por në të njëjtën kohë, tregojini të vërtetën. Mos ofroni më shumë detaje nga sa ai/ajo shfaq interes.

Nëse fëmija pyet për diçka dhe ju nuk e dini përgjigjen, pranojeni këtë. Përpiquni ta zbuloni së bashku të vërtetën duke kontrolluar faqet në internet të agjencive zyrtare të shëndetit për informacione të përditësuara në lidhje me koronavirusin (COVID-19).

  • Flisni qetësisht dhe me vetëpërmbajtje

Shpjegoni se, shumica e personave që sëmuren ndihen sikur kanë ethe ose grip. Fëmijët e kuptojnë dyzimin ose pasigurinë e prindërve. Prandaj, kur flisni për koronavirusin dhe lajmet rreth tij, mundohuni  të ruani qetësinë duke mos shfaqur asnjë lloj emocioni negativ.

  • Shmangni barrierat në komunikim

Është e natyrshme që fëmijët të shqetësohen dhe të pyesin: “A mund të ndodhë me mua?” Informojeni se, sipas specialistëve, fëmijët e marrin këtë virus më pak dhe e kalojnë më lehtë se sa të rriturit. Jepuni të kuptojnë se gjithmonë mund të vijnë tek ju për të pyetur apo për të folur për gjithçka që iu intereson.

  • Qëndroni vigjilent dhe jepuni udhëzimet e duhura

Monitoroni lajmet dhe informacionet që marrin fëmijët, veçanërisht në internet, që të shmangni sa të mund informacionet e pasakta dhe stresuese. Udhëzojini ata drejt gjërave relaksuese dhe me përmbajtje të përshtatshme për moshën.

  • Ndihmoni fëmijët të kenë vetëkontroll

Nxitini dhe orjentoni fëmijën tuaj për të patur sa më shumë vetëkontroll. Mësojini rregullat e higjienës. Shpjegojini se larja e rregullt e duarve është shumë e rëndësishme për parandalimin e përhapjes së viruseve. Jini aktiv dhe bëhuni një model i mirë për të.

  • Flisni edhe për masat parandaluese dhe shëndetësore që po merren.

Fëmijët duhet të dinë se spitalet dhe mjekët janë të përgatitur për të trajtuar njerëzit që sëmuren; se shkencëtarët po punojnë për të zbuluar një vaksinë. Këto biseda i përgatisin fëmijët edhe për ndryshimet që mund të ndodhin në të ardhmen.

  • Shmangni tabutë me fjalë sa më të thjeshta.

Nëse fëmija pyet, shpjegojini se vdekja nga virusi ndodh në një numër të vogël rastesh të infektuar. Jepuni të kuptojnë se nuk duhet të mbingarkohen me informcaione të panevojshme; se asgjë nuk duhet të cënojë planet dhe qëllimet e tyre për të ardhmen.

  • Kushtojini rëndësi shqetësimeve të tyre për më të moshuarit

Nëse fëmija dëgjon se të moshuarit kanë më shumë të ngjarë të sëmuren rëndë, ai mund të shqetësohet për gjyshërit. Lejojeni të flasë në telefon apo video-thirrje, pasi kjo mund ta ndihmojë të ndihet i sigurt për ta.

  • Bëjani të qartë fëmijës suaj se jeta ka të papriturat e veta.

Të gjithëve u ndodh të ndihen në stres në situatata të caktuara. Njohja e fakteve, që kohërat e vështira kalojnë dhe jeta kthehet në normalitet, mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë vetëdijësim dhe qëndrueshmëri.

  • Konsiderojeni një bisedë në vazhdim

Mbani vijimësisht nën mbikëqyrje situatën, së bashku me fëmijën tuaj. Flisni edhe për koronavirusin, për mënyrën se si sistemi imunitar i trupit të tyre lufton sëmundjet apo gjëra të ngjashme.

  • Flisni shpesh për aktualitetin si mundësi reflektimi.

Është e rëndësishme ta ndihmoni atë të mendojë përmes informacioneve që dëgjon. Bëjini pyetje: “Si mendon se ndodhin këto gjëra?” Pyetje të tilla inkurajojnë bisedën për temat e  ditës  aktuale dhe janë shtensionuese.

 

No comments:

Post a Comment