Tuesday, August 4, 2020

Covid-19/ Manastirliu: Po përgatitemi për situatën e vjeshtë-dimrit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në një mesazh drejtuar qytetarëve tha se ka filluar përgatitja për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime. Ndërkohë që u ka drejtuar një apel qytetarëve për t’u përshtatur me normalitetin e ri duke respektuar rregullat.

“Deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur. Normaliteti i ri kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur. Kërkon të zbatojmë rregullat e higjienës kudo, në çdo çast, kudo ku ne të mundemi. Normaliteti i ri kërkon nga ne fare pak, shumë shumë pak! Të gjithë bashkë, duke respektuar rregullat e thjeshta por jetëshpëtuese mund t’ia dalim”, apeloi ministrja Manastirliu.

Manastirliu ka theksuar se puna për përballimin e epidemisë po vijon dhe nuk është ndalur për asnjë moment prej më shumë se 140 ditësh me të gjitha kapacitetet e sistemin shëndetësor, nga epidemiologët në terren deri tek mjekët dhe infermierët që po përballen në vijën e parë me COVID-19.

Në mesazhin e saj, Ministrja e Shëndetësisë tha se është gati plani për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, që nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare dhe deri tek trajtimi mjekësor i pacientëve me Covid19.

Ne po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime. Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet Covid3 dhe Covid4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale, nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me Covid19”, – tha Manastirliu.

No comments:

Post a Comment