Monday, August 3, 2020

Manastirliu: Të angazhuar për rritjen e mbulesës vaksinale

Gazetare: Klevisa GJIKA

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shprehet se po merren të gjitha masat për përballimin e vështirësive që mund të hasen në dy stinët pasardhëse për vaksina falas kundër gripit, për grupmoshat më të rrezikuara ndaj gripit stinor.

“Programi i kontrollit, i cili parashikon vaksinimin ndaj gripit është pjesë e strategjisë tonë, për të përballuar situatën e shkaktuar nga Covid19. Deri tani sipas përllogaritjeve për mbulesën vaksinale të shtuar, kemi bërë porosinë e serisë së parë të vaksinave dhe ndërkohë që vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina përsa i përket situatës që do të përballemi gjatë muajve tetor-dhjetor e në vijim”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të saj në Institutin e Shëndetit Publik, Manastirliu bëri me dije se po forcohen kapacitetet e testimit dhe vaksinimit.

“Po përgatitemi për të vijuar përballjen me epideminë e Covid, që sipas strategjisë dhe planit të veprimit aktiv që ne kemi aktualisht, jemi duke forcuar kapacitetet e testimit, gjurmimit, hetimit epidemiologjik, kapaciteteve të spitaleve. Ndërkohë që ne përgatitemi dhe vijojmë të fuqizojmë kapacitetet tona përsa i përket situatës së Covid19, vijojmë të rrisim edhe kapacitetet tona përsa i përket edhe programeve për vaksinimin e sigurt, siç është programi i vaksinimit ndaj gripit për grupet e riskuara dhe rritjen e mbulesës vaksinale”, shtoi ajo.

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, theksoi faktin se një kontroll i mirë i gripit sezonal do ndihmojë edhe në menaxhimin e situatës së koronavirusit.

“Ne kemi bërë vlerësimin dhe rivlerësimin e kategorive të riskut, të cilat janë të rëndësishme për vaksinimin ndaj gripit dhe njëkohësisht janë subjekte të cilat janë dhe më të prekshme nga Covid19. Për shembull, personat me sëmundje kronike, natyrisht punonjësit shëndetësorë, mësuesit dhe të gjithë kujdestarët të cilët kujdesen për fëmijët si dhe fëmijët nga 2 deri në 5 vjeç, sepse ata transmetojnë më shumë gripin. Shpresojmë të kemi një situatë më të mirë të kontrollit të gripit, gjë e cila do të na ndihmojnë edhe për Covid19”, tha Bino.

 

No comments:

Post a Comment