Monday, August 3, 2020

Mjekja Tarifa: Arma e vetme është mbrojtja, një armë që nuk ka kosto!

Gazetare: Klevisa GJIKA

COVID-19 risolli në vëmendje bluzat e bardha. Ndryshe nga më parë, ato nuk dalin për të dhënë informacione në lidhje me ecurinë e një operacioni, gjendjen shëndetësore psh.: të  të aksidentuarve, po janë pjesë edhe e mesazheve ndërgjegjësuese. Në një video të shpërndarë nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bluzat e bardha bëjnë apel për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë.

Mjekja onkologe Dhurata Tarifa shprehet se respektimi i disa masave të thjeshta, si: mbajtja e maskës, eleminimi i takimeve janë mënyra shumë efikase për të parandaluar një prekje të mundshme nga COVID-19.

“Prej 6 muajsh po bashkëjetojmë me një virus të padukshëm shumë virulent. Në mungesë të një vaksine për të luftuar këtë virus opsioni i vetëm mbetet, mbrojtja. Mbrojtja është në tre forma. Së pari, vendosja e një maske e cila duhet të jetë shumë e puthitur në fytyrë. Së dyti është distancimi fizik. Dhe së treti është higjiena personale dhe ajo territoriale. Duhet të jemi korrekt me higjienën e trupit, por edhe në territor. Sepse jetojmë në komunitet, dhe komuniteti ka disa rregulla për pastërtinë, e cila është në dorë të vetë banorëve.”

Fatmirësisht pranë spitalit Onkologjik nuk ka pasur raste të konstatuara me koronavirus tregon mjekja. “Në shërbimin onkologjik, falë masave shumë të rrepta që janë marrë, deri tani nuk kemi pasur asnjë tast pozitiv me koronavirus. Arma e vetme është mbrojta, një armë që nuk ka kosto”, shton Tarifa.

No comments:

Post a Comment