Monday, August 3, 2020

Situata në Urologji / Ja çfarë ndodh dhe sa të kënaqur janë qytetarët me shërbimin mjekësor!

Gazetare: Klevisa GJIKA

Shërbimi mjekësor është shumë i rëndësishëm dhe sidomos kur sëmundja agravon njerëzit bëhen më të prekshëm dhe më të ndërgjegjshëm për gjendjen e tyre shëndetësore.

Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Shëndeti Plus” pranë Urologjisë në QSUT, vihet re një numër i lartë personash që duan të marrin ndihmë për probleme të ndryshme, megjithatë shumica janë të kënaqur me shërbimin mjekësor që i ofrohet.

“Kam gurë në veshka dhe kam bërë një ndërhyje dhe tani kam kontaktin me mjekët. Shërbimi është shumë i mirë, mjekët na presin mirë, janë shumë të respektueshëm”, shprehet një qytetare.

Ka edhe qytetarë të tjerë që kanë rezerva për shërbimin. Ja si e komenton njëri prej pacientëve që pret në radhë: “Nuk të mbarojnë punë. Një herë vjen urgjent, i bëjnë gjilpërë aty. Prap u kthyem në shtëpi. O shtet, o më mirë privat. E di si e merr shërbimin dhe shpëton.”

Që në hyrje të Kirurgjisë dallohen masat e marra dhe respektimi i tyre. Marrja e shërbimit nuk bëhet pa matur temperaturën që në hyrje. Para depërtimit në godinë diktohet edhe vënia e maskës për ata që nuk e kanë vënë, masa këto për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit.

Në monitorimin e bërë vihet re se të afërmit e pacientëve lihen të hyjnë, por jo pa respektuar rregullat e caktuara. Krahas kësaj, marrja e shërbimit nuk bëhet me numra, pra nuk ndiqet një rend i caktuar numerik për të respektuar radhën, por në këtë situatë është parë e arsyeshme që pacientët të hyjnë përmes një liste në bazë të emrave të tyre.

Megjithatë, siç duket edhe në pamjet e siguruara për gazetën “Shëndeti Plus” distancimi fizik nuk ruhet në mënyrë rigoroze. Është rekomanduar të paktën një metër distancë, por kjo gjë nuk respektohet totalisht.

 

 

No comments:

Post a Comment